Kreu  /  Rreth Nesh

Rreth nesh

Komisioni

Ent i Kishës Katolike në Shqipëri, në shërbim të edukimit të tërësishëm të të rinjve.

Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik — KKEKSH është ent i Kishës Katolike në Shqipëri me personalitet juridik “ipso iure”, i regjistruar më 24 maj 2017.

KKEKSH zhvillon kryesisht aktivitete promovuese dhe mbështetëse — ekonomike, si dhe teknike formuese-edukuese — për 45 institucione arsimore katolike në arsimin parauniversitar: 21 shkolla 9-vjeçare, 21 kopshte dhe 3 qendra për kurse profesionale, me rreth 7300 nxënës dhe 545 mësues, si dhe Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në vitet 1994–2022 kanë përfunduar nivelin përkatës të shkollës rreth 45.500 nxënës. Institucionet anëtare të rrjetit shtrihen në rrethet e Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Fierit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës — gati 25 vite veprimtari edukuese në situatat më në nevojë të vendit.

Vepër arti me temë fetare në një institucion katolik

Misioni

Liria e arsimit në shërbim të një shoqërie demokratike


Misioni kryesor i KKEKSH është të promovojë përmbushjen me efektivitet të lirisë së arsimit si kusht themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike, në përputhje me të drejtat e liritë themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në deklaratat, konventat e protokollet e ratifikuara nga shteti shqiptar.

KKEKSH mbështet, informon dhe azhurnon shkollat e institucionet e drejtuara nga entet e Kishës Katolike, me konsulencë të natyrës didaktike, juridike dhe ekonomike-fiskale, si dhe mbi ndryshimet legjislative që i interesojnë këtyre institucioneve.

Anëtarësimet

Pjesë e rrjetit ndërkombëtar të edukimit katolik


KKEKSH është anëtare me të drejta të plota e Komisionit Evropian të Edukimit Katolik (CEEC) me seli në Bruksel, si dhe e Organizatës Ndërkombëtare të Edukimit Katolik (OIEC) me seli në Romë — prej vitit 2010, dhe me të drejta të plota që prej vitit 2017.

Vlerat tona

Vlerat në themel të misionit edukues të institucioneve katolike

Respekti i dinjitetit të personit dhe i unicitetit të tij.

Vëmendje ndaj nevojave të personit.

Hapja ndaj transcendentes si horizont ontologjik i njeriut, që e lartëson dhe e përplotëson atë.

Dialogu si mënyrë komunikimi: mes brezash, mes kulturash, mes besimesh dhe bindjesh të ndryshme.

Mikpritje e çdo ndryshueshmërie: fizike, kulturore, fetare, sociale apo gjinore.

Besimi në aftësitë e fëmijës dhe në zhvillimin e tyre në një klimë bashkëpunimi dhe solidariteti.

Besimi në edukueshmërinë e çdo fëmije.

Bindja që edukimi përfshin të gjitha aspektet jetësore: konjitive, afektive, sociale, etike, shpirtërore dhe profesionale.