Këshilli Kombëtar i DiSAL
Në datat 13 dhe 14 nëntor 2025 tri drejtuese të shkollave tona katolike, znj. Renata Nika, znj. Drita Uka dhe znj. Gerta Curri bashkë me koordinatorin kombëtar të KKEKSH, Atë Michele Leovino morën pjesë në Këshillin Kombëtar të DiSAL ne Milano me temë “Drejtimi i shkollës që vlerëson dhe lejon talentin të lulëzojë.”
Gjatë punimeve, u diskutuan tema thelbësore për drejtimin bashkëkohor të shkollave, rolin e realitetit në edukim, sfidat e inteligjencës artificiale, si dhe rëndësia e formimit të të rinjve në një botë gjithnjë e më virtuale. Ligjëratat e panelistëve nga Italia dhe Gjermania nxorën në pah nevojën për t’i rikthyer vëmendjen thelbit human të arsimit dhe shoqërimit të fëmijëve drejt së vërtetës dhe autonomisë.
Atë Michele Leovino prezantoi sfidat dhe arritjet e institucioneve tona arsimore, duke falënderuar DiSAL për mbështetjen e vazhdueshme në formimin e mësuesve dhe drejtuesve. U ndanë edhe përvoja mbi sfidat e qeverisjes së shkollave, inovacionin arsimor dhe perspektivat e sistemit edukativ.
Takimi u përmbyll me një atmosferë miqësore dhe me konfirmimin e vullnetit të ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin DiSAL–KKEKSH, përfshirë nisma të reja si job shadowing dhe mundësitë e binjakëzimit ndërmjet shkollave.



