Jubileu i Edukimit Katolik 2025
Qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme u mblodhën të shtunën, më 8 nëntor, në Lezhë, për të marrë pjesë në Jubileun Kombëtar të Shkollave Katolike. Aktiviteti nisi në oborrin e Katedrales, ku të rinj, mësues dhe përfaqësues të institucioneve shkollore krijuan menjëherë një atmosferë të gjallë, tipike për këtë lloj kremtimi, mbushur me gëzim.
Tryeza e rrumbullakët që pasoi mblodhi emra me prejardhje të ndryshme, por me një pikë të përbashkët: lidhjen me edukimin katolik.
Motër Teuta Buka, drejtoreshë, hapi bisedën duke vënë theksin te misioni i shkollave katolike. Pas saj, drejtori i QBEA-së pranë Akademisë së Shkencave, Andreas Dushi solli këndvështrimin e tij për rolin formues që ka ky sistem. Gaspër Gjeluci, drejtues i programit NDI, foli për lidhjen mes edukimit dhe përgjegjësisë qytetare. Biseda u bë edhe më e gjallë me ndërhyrjet e Siona Sulit, studente, dhe Merita Markut, mësuese, të cilat folën me tone të thjeshta e të drejtpërdrejta për përvojat e tyre. Në fund, gazetarja Dr. Ilaria Lia solli një analizë më të gjerë mbi vendin që historikisht ka zënë edukimi katolik në shoqërinë shqiptare.
Rreth mesditës, pjesëmarrësit u rikthyen në Katedrale, ku u kremtua Mesa e Shenjtë, e udhëhequr nga Imzot Ottavio Vitale RCJ, ipeshkëv i Lezhës, me praninë e thuajse të gjithë ipeshkvinjëve të tjerë shqiptarë. Ishte momenti më i hirtë i ditës, që solli një pauzë reflektimi mes aktiviteteve dhe zhurmës rinore.
Pas Meshës, dita mori karakterin e një feste të mirëfilltë. Në oborrin e Katedrales u zhvilluan aktivitete të ndryshme të nxënësve, që nga performancat e vogla artistike deri te lojërat dhe bashkëbisedimet e lira. Gëzimi i pjesëmarrësve e mbylli ditën me një energji pozitive, duke e kthyer aktivitetin në një takim të rëndësishëm për komunitetin arsimor shqiptar.

