Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik – KKEKSH është Ent i Kishës Katolike në Shqipëri me personalitet juridik “ipso iure” i regjistruar me 24 Maj 2017. KKEKSH zhvillon kryesisht aktivitete promovuese dhe mbështetëse, ekonomike po ashtu dhe teknike formuese – edukuese, për 45 institucione arsimore katolike në arsimin parauniversitar përfshin 21 shkolla 9-vjecare, 21 kopshte dhe 3 qendra per kurse professionale, me rreth 7300 nxënës dhe 545 mësues si dhe Universitetin Katolik të Zojës së Këshillit të Mirë.
Në vitet 1994-2022, kanë mbaruar nivelin përkatës të shkollës rreth 45.500 nxënës. Institucionet, anëtare të rrjetit, kanë një shtrirje gjeografike në rrethet e: Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Fierit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës prej gati 25 vitesh aktiviteti edukues në situatat më në nevojë të vendit.
Misioni kryesor i KKEKSH është të promovojë përmbushjen me efektivitet të lirisë së arsimit si një kusht themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike, në përputhje me të drejtat e liritë themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Deklarata, Konventa dhe protokollet shtesë të ratifikuara nga shteti shqiptar.
Të mbështesë, informojë, azhurnojë shkollat apo institucionet të drejtuara dhe të administruara nga Entet e Kishës Katolike, duke i mbështetur me konsulencë të natyrës didaktike, juridike, ekonomike-fiskale, si dhe mbi ndryshimet legjislative që mund t’i interesojnë këtyre institucioneve të arsimit lidhur me problematikat dhe zgjidhjen e situatave të krijuara.
KKEKSH, është anëtare me të drejta të plota e Komisionit Evropian të Edukimit Katolik (CEEC) me seli në Bruksel si dhe Organizatës Ndërkombëtare të Edukimit Katolik (OIEC), me seli në Romë, që prej vitit 2010 dhe me të drejtatë plota, që prej vitit 2017.
organigrama
MISIONI
- Të promovojë përmbushjen me efektivitet të lirisë së arsimit, si një kusht themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike;
- Të bashkëpunojë me organizma të tjera arsimore në nivel ndërkombëtar të frymëzuara nga vlerat ungjillore;
- Të promovojë dhe të mbrojë interesat e misionit të edukimit katolik në marrëdhënie me organet apo institucionet shtetërore të nivelit qendror dhe lokal;
- Të ndihmojë institucionet arsimore apo qendrat e formimit dhe edukimit në përmbushjen e misionit të tyre duke ofruar ndihmë konkrete në të gjitha sfidat
- Të nxisë bashkëpunimin ndërmjet shkollave dhe institucioneve edukative të themeluara nga ente të Kishës Katolike për të forcuar një rrjet edukativ me impakt më të gjerë dhe domethënës në shoqërinë shqiptare.
vlerat Në Themel Të Misionit Edukues Të Institucioneve Katolike
Respekti i dinjitetit të personit, të unicitetit të tij
Vëmendje ndaj nevojave të personit
Hapja ndaj transcendentes si horizont ontologjik i njeriut, që e lartëson atë dhe e përplotëson
Dialogu si mënyrë komunikimi: mes brezash, mes kulturash, mes besimesh të ndryshme e bindjesh të ndryshme
Mikpritje e çdo ndryshueshmërie: fizike, kulturore, fetare, sociale apo gjinore
Besimi në aftësitë e fëmijës dhe të zhvillimit të tyre në një klimë bashkëpunim dhe solidariteti
Besimi në edukueshmërinë e çdo fëmije
Bindja që edukimi përfshin të gjitha aspektet jetësore: konjitive, afektive, sociale etike shpirtërore dhe profesionale