Atëherë i sollën (Jezusit) ca fëmijë që t’i bekonte, por nxënësit i qortuan. Jezusi u tha: “ mos i pengoni fëmijët të vijnë tek unë, pasi atyre që u përngjajnë i përket mbretëria e qiellit”
Ungjilli sipas Mateut (Mt 19, 13-150
Parathënie
Projekti per mbrojtjen e të miturve një proces me në qendër fëmijën
Projekti i ndërmarrë prej Komisioni Kombëtar për Edukimin Katolik Shqiptar për krijimin e Politikës së mbrojtjes së të miturve dhe procedurave konkrete, është një prej ecjeve- proceseve që kemi ndërmarrë që prej tre vitesh.
Komisioni ka për synim kryesor t’u vijë në ndihmë institucioneve edukative që zhvillojnë aktivitete të edukimit formal dhe informal me natyre baritore, qëllimi kryesor i të cilave është:
- të sigurojnë një edukim të personalizuar te nxënësve, që ata të mund të jenë autonomë, të përgjegjshëm dhe të aftë për të zgjedhur ne liri, në pajtim me ndërgjegjen e tyre;
- promovimi i njeriut si person, me të gjitha vlerat humane të cilat janë të themeluara mbi Jezu Krishtin, duke ndjekur qëllimin e ekzistencës së vet, dhe të mirën e shoqërisë.[1]
Mbështetja pra e enteve të rrjetit në misionin e tyre për një edukim të personalizuar dhe cilësor, është qëllimi kryesor i Komisionit. Pikërisht në këtë ecje të filluar prej vitesh për një arsim- edukim sa më cilësor vëmendja ndaj mirëqenies së fëmijëve është parë si një prej përparësive të institucioneve tona edukative dhe për rrjedhojë edhe e jona.
Konteksti i Projektit
Ndjeshmëria në rritje ndaj mirëqenies së të miturve që shoqëria jonë po përjeton, përshtatja e vazhdueshme e legjislacionit tonë me atë evropian dhe botëror, na ka vënë në lëvizje edhe ne për të gjetur mënyrën si të bëjmë të mundur që të rrisim përgjegjësinë qytetare ndaj të miturve, si t’u ofrojmë atyre një ambient të sigurt, si t’i bëjmë shkollat tona vatra ku siguria e të miturve nuk fokusohet thjesht rreth abuzimeve por përkthehet në pakujdesje 360 gradësh, ndaj çdo faktori që ndikon në jetën e fëmijëve, në sigurinë e tyre fizike dhe morale.
Po ashtu një shtysë tjetër që të krijojmë një Politikë dhe një model organizativ konkret, është edhe ecja që Kisha ka bërë e po bën në parandalimin e çdo abuzimi me të mitur dhe thirrja e fuqishme e Papa Francesk-ut për të çrrënjosur me guxim plagën e abuzimeve që për fat të keq ka prekur edhe Kishën
Risia e këtij Projekti
Risia e kësaj Politike qëndron në disa elemente:
- Është një normë vullnetare e cila shpreh vullnetin për t’u vetë-monitoruar në lidhje me çdo aspekt të sigurisë – mbrojtjes së të miturve.
- Mbështetet në legjislacion shqiptar dhe ndërkombëtar dhe shkon përtej tij duke krijuar një model organizativ të mirëfilltë që garanton aplikimin e saj
- nuk është e fokusuar vetëm në abuzimet, por kujdeset për të miturin, sigurinë dhe mirëqenien e tij fizike dhe morale në çdo aspekt që ndeshet në jetën e përditshme
- nuk ndalet vetëm në sinjalizimet e rasteve të mundshme, por përmban procedura që synojnë parandalimin e çdo rasti dhe ndjekjen e rasteve.
- nuk është vetëm një deklaratë parimesh, por ka të qarte një model organizativ: përgjegjësi konkrete dhe ndërvarësi.
- nuk përfundon me një dokument, sado i kompletuar qoftë, por pasurohet dhe konkretizohet dhe më pas të monitorohet nga vetë KKEKSH,
- Nuk i jepet shkollave nga Komisioni thjesht për zbatim, por i shoqëron ata në formimin e personave kyç, i shoqëron shkollat dhe referentet përkatëse me azhurnimet e nevojshme si dhe në rastet konkrete.
Hapat që do bëjmë në të ardhmen
Ky dokument i Politikës dhe modelit i saj organizativ i cili pasqyrohet edhe në atë të vetë Komisionit është materiali i parë konkret në vazhdën e Projektit tre vjeçar për Mbrojtjen e fëmijëve. Hapat e ardhshme që na presin në vijim janë:
- Trajnimi i personave referentë që në çdo shkollë a kopsht do të jetën të ngarkuar për aplikimin e Politikës
- Certifikimi i tyre nga ana e KKEKSH[2]
- Implementimi I Politikës në çdo shkollë/ kopsht duke e adaptuar me realitetin e saj
- Certifikimi i shkollës në zbatimin e Politikës[3]
- Sensibilizimi i stafeve, prindërve, nxënësve dhe komuniteteve.
- Monitorimi dhe asistenca që i jepet shkollave në zbatimin e Politikës si dhe azhurnimi i vazhdueshëm i referentëve dhe stafeve.
Falënderim për bashkëpunimin
Për hartimin e Politikës kanë bashkëpunuar shumë persona të cilëve i shkon falënderimi ynë:
Imzot Massafrës dhe Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, për mbështetjen e përhershme dhe vëmendjen me të cilën kanë ndjekur procesin e deritanishëm.
Ekspertëve tanë nga Italia dhe Austria :
Zotin Emanuele Montemarano, Avokat
Zonjën Astrid Winkler, Ecpat
Koordinatores e Projektit,
Znj Malvina Përgega, dhe eksperte juriste ne këtë projekt.
Ekspertëve të shkollave:
Motër Arta Suli, drejtore didaktike e Gjimnazit Rogacionistët, Lezhë, Znj Marjeta Çurçia, mësuese e shkollës Maria Ndihmëtare, Shkodër, Z. Sandër Vlashaj, punonjës social në shkollën Atë Shtjefën Gjecovi, Lezhë
Ekspertëve të fushave të Politikës:
Znj. Daniela Nika, mjeke, Znj Irena Sheldia eksperte IT, Zotin Erjon Xhafa, ekspert në sigurinë në punë, dhe Dom Jetmir Nikolli-n, mjek dhe psikolog
Bordit e Komisionit KKEKSH dhe stafin e sekretariatit: Znj. Mirela Dautaj, Z. Turjan Rahmani, Znj. Vera Lushi
Bashkëpunimi i Komisionit me këtë team ekspertësh do të vazhdojë për gjatë hapave të tij në fazat e formimit dhe të asistencës që do t’u jepet shkollave
Jam e sigurt se kjo Politikë dhe modeli i saj organizativ, mund të jetë një përvojë e replikueshme dhe gjithëpërfshirëse edhe për shkolla të tjera të Shqipërisë, dhe po ashtu të shërbejë si model bazë edhe për realitete të tjera të Kishës Katolike që janë në kontakt me të miturit.
Motër Teuta Buka
Koordinatore Kombëtare e
Komisionit për Edukimin Katolik Shqiptar
[1] Rregullorja e Brendshme KKEKSH, 2017
[2] Sipas normave internacionale të Certifikimit, i njihet personit të ngarkuar nga shkolla dhe të trajnuar nga KKEKSH përgatitja e duhur për të zhvilluar detyrën e Referentit.
[3] Sipas normave internacionale të Certifikimit, i njihet institucionit nëpërmjet një deklarate, konformiteti ndaj kësaj rregulle vullnetare.