Job shadowing – Shkëmbimi profesional mbi lidershipin dhe inovacionin – Bologna, 23-28 Shkurt 2026








Në kuadër të projektit që Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik po zbaton për forcimin e kapaciteteve të lidershipit, u mundësua pjesëmarrja e 4 drejtuesve të shkollave të rrjetit katolik në Shqipëri dhe koordinatores znj. Suela Kalia në një eksperiencë shkëmbimi profesional (Job shadowing) me drejtuesit e shkollave katolike italiane në rajonin e Emilia Romagna, në bashkëpunim me shoqatën DiSAL.
Kjo eksperiencë kishte si objektiv dhe ofroi:
• Një mësim të drejtpërdrejtë mbi aktivitetet e përditshme të lidershipit, strategjitë e menaxhimit dhe qasjet për zgjidhjen e problemeve në një kontekst ndërkombëtar.
• Forcimin e kompetencave kryesore ndërpersonale si menaxhimi i kohës, komunikimi efektiv, planifikimi organizativ dhe zgjidhja bashkëpunuese e problemeve.
• Promovimin e një vetëdije më të madhe profesionale te drejtorët e shkollave shqiptare pjesëmarrëse, duke mbështetur procese vendimmarrjeje më të informuara.
• Përmirësimin e përshtatshmërisë dhe reagimit në mjedise të reja arsimore duke vëzhguar kolegë të tjerë në mënyrën se si menaxhojnë problemet dhe marrëdhëniet.
Pjesëmarrësit patën mundësi të vizitonin dhe të njiheshin me modelet e projektimit didaktik dhe edukativ në disa shkolla si : Scuole Malpighi (Bologna), Scuole “Il Pellicano” (Bologna) si dhe Scuola libera “Il Seme”ne Fidenza.
Kjo eksperiencë shkëmbimi nga afër u përmbyll me pjesëmarrjen e drejtuesve ne Konferencën Kombëtare të DiSAL që u zhvillua në Bologna, në datat 26-28 Shkurt me tematikë “Projektimi i shkollës si një ekosistem i së ardhmes”, ku mori pjesë edhe Koordinatori Kombëtar i KKEKSH Padre Michele Leovino i cili prezantoi karakteristikat e lidershipit transformativ dhe rëndësinë e punës në rrjet në kontekstin e shkollave katolike në Shqipëri.