Thirrje për Aplikim për Vend Vakant: Koordinator Projekti
Komisioni Kombëtar për Edukimin Katolik – KKEKSH është organi i Kishës katolike në Shqipëri, i cili është themeluar me personalitet juridik “ipso iure” dhe është regjistruar më 24 maj 2017. KKEKSH kryen veprimtari promovuese dhe mbështetëse, trajnuese ekonomike dhe teknike-aktivitete arsimore, për 45 institucione arsimore katolike në arsimin paruniversitar që përfshin 21 shkolla 9-vjeçare, 21 kopshte dhe 3 shkolla të mesme profesionale dhe kursesh profesionale, me rreth 7300 studentë dhe 537 mësues, si dhe Universitetin Katolik të Zonjës së Këshillit të Mirë me një shtrirje gjeografie në bashkitë e Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Fierit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik Shqiptar (KKEKSH) bën thirrje për aplikime për postin e Koordinatorit të Projektit për projektin me titull “Forcimi i kompetencave dhe qëndrueshmëria e institucioneve edukative katolike në Shqipëri”.
Projekti me numër AL 21601 B / KZE 600-804-1115 ka për qëllim të forcimit të kompetencave dhe qëndrueshmërisë së institucioneve arsimore katolike në Shqipëri. Kohëzgjatja e projektit është 36 muaj nga muaji janar 2023 deri në muajin dhjetor 2025. Projekti synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë dhe përfshirjes së sistemit arsimor në Shqipëri.
Detyrat dhe Përgjegjësitë:
– Koordinimi i aktiviteteve të projektit dhe sigurimi i zbatimit të strategjive në përputhje me qëllimet e përcaktuara.
– Përgatitja dhe monitorimi i planit vjetor të punës së projektit.
– Bashkëpunimi me institucionet arsimore, autoritetet vendore dhe qendrore, si dhe organizatat e interesit për të siguruar mbështetje dhe bashkëpunim efektiv.
– Përgatitja dhe prezantimi i raporteve periodike mbi progresin e projektit.
Kualifikimet e Kërkuara:
– Diplomë në fushën e arsimit, menaxhimit të projekteve, apo fushë të ngjashme është e preferueshme.
– Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, e shkruar dhe e folur.
– Njohuri të thella të sistemit arsimor në Shqipëri, veçanërisht në kontekstin e institucioneve arsimore katolike.
– Përvojë dhe aftësi të shquara në menaxhimin e projekteve, duke përfshirë koordinimin e aktiviteteve, monitorimin e progresit dhe raportimin.
– Aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe bashkëpunimi, po ashtu dhe aftësi organizative të shkëlqyera.
– Të ketë të paktën 5 vite eksperiencë në fushën e koordinimit të projekteve ose në fushën e arsimit.
Kohëzgjatja e kontratës: Kontrata fillestare për pozicionin është 16 mujore (shtator 2024-dhjetor 2025)
Procedura e Aplikimit:
Për të aplikuar për këtë pozicion, ju lutemi dërgoni CV-në tuaj, me të paktën 2 letra reference, si dhe një letër motivimi në adresën e emalit info@kkeksh.com me subjektin “Aplikimi për Koordinator Projekti – [Emri dhe Mbiemri juaj]”.
Afati i fundit për aplikim është 30.04.2024.
Ne inkurajojmë aplikantët e interesuar të aplikojnë dhe të japin një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sistemit arsimor në Shqipëri.
Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik Shqiptar (KKEKSH)